Home Kronikë R E F E R E N D U M I

R E F E R E N D U M I

0

(1–2 mars 1992)

Vështrim nga Mr. Sc. Refik Hasani

Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992 përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme politike të shqiptarëve të këtij rajoni. Ai ishte artikulim i qartë i vullnetit kolektiv dhe një formësim i angazhimit politik si komunitet i organizuar.

Ky referendum dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve, të manifestuar përmes pjesëmarrjes masive në një proces plebishitar, si akt rezistence demokratike. Ai ishte udhërrëfyes për vizionin e së ardhmes politike dhe një përpjekje e qartë për të afirmuar të drejtat individuale dhe kolektive, për barazi të plotë dhe për trajtim jo më pak se të tjerët.

Përmes këtij referendumi u shpall autonomia territoriale-politike e kësaj krahine, duke u themeluar edhe Kuvendi për Autonomi Territoriale-Politike të shqiptarëve. Ishte një akt i lartë historik, rezultat i unitetit dhe bashkëveprimit të forcave politike dhe intelektuale shqiptare.

Referendumi ishte shprehje e një vullneti të pjekur politikisht dhe përcaktim i qartë për të ardhmen. Ai përfaqësonte marrjen e përgjegjësisë për të ngritur çështjen e kësaj krahine në rrugë politike e demokratike, në përputhje me aspiratën e shprehur në mënyrë plebishitare.

Ngjarjet e mëvonshme, përfshirë kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së, e cila mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin, si dhe Marrëveshja e Konçulit, e arritur nën prezencën dhe monitorimin ndërkombëtar, dëshmuan se kjo çështje nuk ishte vetëm e brendshme. Ajo u ndërkombëtarizua dhe u trajtua në instanca të larta politike e ushtarake ndërkombëtare.

Megjithatë, statusi politik dhe juridik i kësaj krahine mbetet i pazgjidhur në mënyrë përfundimtare. Zgjidhja kërkon mjete politike dhe demokratike, por edhe ndërmjetësim ndërkombëtar, për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Referendumi i 1–2 marsit 1992 mbetet dëshmi e një vullneti politik të organizuar dhe një kapitull i rëndësishëm në historinë e përpjekjeve për barazi dhe vetëvendosje.