Home Lajme Nga 5 në 2 – Kush e lejoi tkurrjen e përfaqësimit shqiptar...

Nga 5 në 2 – Kush e lejoi tkurrjen e përfaqësimit shqiptar në Këshillin e Sigurisë?

0

Shkruan: Nafie Selmani – ShqipExpress

Dje u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë të RMV-së. Një organ kyç për çështjet strategjike të shtetit. Por ajo që bie në sy nuk është vetëm rendi i ditës, por përbërja.

Dikur shqiptarët përfaqësoheshin me pesë anëtarë në këtë mekanizëm të rëndësishëm. Sot janë vetëm dy. Një rënie drastike që nuk mund të quhet rastësi dhe as zhvillim teknik. Është tregues i drejtpërdrejtë i tkurrjes së ndikimit politik.

Njëri prej tyre është Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili është pjesë e Këshillit për shkak të funksionit që mban. Tjetri është Xhevdet Hajredini. Por pyetja thelbësore nuk është kush janë emrat. Pyetja është: si u arrit nga pesë në dy?

Kush e negocioi këtë realitet?

Kush e mbrojti përfaqësimin?

A pati reagim politik apo u pranua në heshtje?

Në politikë, përfaqësimi nuk humbet brenda natës. Ai zvogëlohet kur mungon vendosmëria për ta ruajtur. Dhe kur zvogëlohet pesha në siguri, dobësohet edhe pozicioni në tryezat e tjera vendimmarrëse.

Qytetarët dëgjojnë fjalë për barazi, partneritet dhe integrim. Por përfaqësimi real matet me vendet që zihen në institucionet kyçe.

Kjo çështje kërkon sqarim. Dhe jo sqarim teknik. Politik.