Deklarata të ashpra janë shkëmbyer mes Uashingtonit dhe Teheranit mes raporteve për sulme dhe përshkallëzim të situatës në rajon.
Në një postim në rrjetin X, Donald Trump iu drejtua popullit iranian duke folur për “liri” dhe duke paralajmëruar zhvillime të mëdha ushtarake. Mesazhi i tij u interpretua si mbështetje për ndryshim politik në Iran.
Nga ana tjetër, ushtria iraniane reagoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo bazë në rajon që ndihmon Izraelin do të konsiderohet objektiv ushtarak.
Zëdhënësi i Forcave të Armatosura iraniane, gjenerali Abolfazl Shekarchi, deklaroi se Republika Islamike nuk do të tregojë hezitim në përgjigje.
Burime izraelite, sipas raportimeve ndërkombëtare, kanë thënë se sulmet e fundit kishin si objektiv figura të larta shtetërore iraniane, përfshirë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe drejtues të tjerë ushtarakë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa analistët paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të destabilizojë të gjithë rajonin.








