Home Kronikë “Kur fukaraja bëhet mbret, e mbyt babën e vet” – Një paralajmërim...

“Kur fukaraja bëhet mbret, e mbyt babën e vet” – Një paralajmërim për pushtetin që harron nga erdhi

0

Nga Nafie Selmani – për ShqipExpress

Shprehja popullore “Kur fukaraja bëhet mbret, e mbyt babën e vet” nuk është thjesht fjalë goje. Është metaforë për pushtetin që, sapo ngrihet mbi shpatullat e të tjerëve, fillon t’i godasë pikërisht ata që e ngritën.

Sot, shumë prej nesh që i mbështetëm, i votuam dhe investuam kohë e energji për ndryshim, po përballemi me një realitet tjetër. Jo me reformë. Jo me meritokraci. Por me përjashtim dhe hakmarrje politike.

Rasti im është një nga shembujt. Pas zgjedhjes në Agjencinë e Mediave, u largova në mënyrë që e konsideroj të padrejtë dhe në kundërshtim me logjikën ligjore. Në vend të standardit, u vendos lojaliteti partiak. Ky nuk është vetëm pretendim personal – çështja është reflektuar edhe në raportet përkatëse evropiane, ku problematika e ndërhyrjeve politike është evidentuar.

Por nuk jam e vetmja. Ka të tjerë që heshtin. Jo sepse nuk kanë çfarë të thonë, por sepse frika nga pasojat është reale.

Rasti i fundit i Arlinda Shllakut vetëm sa shton dyshimet për një model që po përsëritet. Kur pushteti fillon të përdoret për të ndëshkuar kritikët dhe për të favorizuar rrethin e ngushtë, kemi problem sistemik, jo rast individual.

VLEN erdhi me premtimin e ndryshimit. Por ndryshimi nuk matet me slogane. Matet me mënyrën si trajton njerëzit që nuk përkulen.

Pushteti që ndërtohet mbi frikë nuk është i fortë. Është i brishtë. Sepse mbështetet jo mbi besim, por mbi kontroll.

Sot mund të ndiheni të sigurt në pozitat tuaja. Por historia politike ka treguar se ata që ngrihen mbi zhgënjimin e mbështetësve, bien pikërisht nga ai zhgënjim.

Ndryshimi i vërtetë nuk fillon me përjashtim. Fillon me drejtësi.